Manchester City ka fituar derbin kundër Chelsea.‘Citizens’ kanë shënuar fitore me rezultatin 2:1, duke përmbysur ‘Blutë’ e Londrës.

Lojtarët e Frank Lampard arritën të kalojnë të parët në epërsi, duke kapur në befasi kampionët në fuqi. Ishte N’Golo Kante ai që shënoi golin e parë në këtë takim, në minutën e 21’ të takimit.

Manchester City u përgjigj shpejtë me anë të belgut Kevin De Bruyne (29’), i cili me një lëvizje fantastike hapi rrugë për një goditje të saktë, të cilën Kepa nuk mund ta ndalte.

Skuadra e Pep Guardiola nuk u ndal këtu, për të arritur që të shënonte edhe golin e përmbysjes, me anë të Riyad Mahrez, i cili shënoi në minutën e 37’.

Ishin këto tri gola të shënuara në pjesën e parë që vendosën fatin e këtij derbi, duke bërë që Man City të marrë tri pikët në xhiron e 13-të.

‘Citizens’ tashmë numërojnë 28 pikë, duke kaluar në pozitën e tretë në tabelë, kurse Chelsea mbetet në kuotën e 26 pikëve, për pozitën e katërt.