Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për vitin e ardhshëm ka planifikuar buxhet prej 48 miliardë e 600 milionë denarë me të cilat do t’i mbështesë kategoritë e cenueshme sociale, do të investojë në zhvillimin e fëmijëve, do të sigurojë siguri sociale për më të rriturit, por edhe do të stimulojë punësime.

“Buxhet civil i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin e ardhshëm do të jetë 48 miliardë e 600 milionë denarë, nga të cilat pothuajse 45 miliard e 500 milionë denarë përfundojnë tek qytetarët. Krijuam buxhet i cili siguron siguri sociale për personat me rrezik social. I mbështesim fëmijët dhe zhvillim e fëmijëve dhe sigurojmë siguri sociale për më të rriturit. Ne si Ministri kujdesemi nga më të rinjtë deri tek më të rriturit dhe pikërisht për këtë përqindja më e madhe e buxhetit përfundon tek qytetarët”, ka thënë në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

Ajo duke e elaboruar buxhetin e Ministrisë për vitin e ardhshëm theksoi se sipas shkallës buxhetore 10,5 miliardë denarë janë paraparë për transferime sociale. Një pjesë e këtyre parave, gjegjësisht 600 milionë denarë janë paraparë për pagesën e shtesës për fëmijë, 672 milionë për shtesë arsimore, ndërsa 468 milionë për pensione sociale.

“Me mjetet tjera do të paguhen të ardhurat e garantuara dhe tranferet tjera sociale të parapara në ligjet për mbrojtje sociale dhe për mbrojtjen e fëmijëve”, ka thënë ministrja/

Për vitin e ardhshëm, potencoi, është paraparë masa e re për subvencionimin e rritjes së pagave edhe atë në vlerë prej 2,4 miliardë denarë.

Me këtë buxhet, potencoi ministrja Carovska, janë paraparë edhe mjete për të rinjtë deri në moshën 23 vjeçare të cilët janë të punësuar në procesin prodhues ose në bujqësi, ndërsa do të marrin nga 3.000 denarë në muaj, Për këtë qëllim janë planifikuar 165 milionë denarë.

Sipas saj, për 25 për qind janë rritur mjetet për investime kapitale, gjegjësisht në vitin 2020 për këtë qëllim është planifikuar të shpenzohen 105 milionë denarë.