Ky video-incizim tronditi sot opinionin. Dy djem rrahin me grushte dhe shqelma një vajzë, njëkohësisht edhe e xhirojnë . Ngjarja ka ndodhur në hyrje të një ndërtese në Shtip. Nga pamjet mund të shihet se vajza është në moshë të re. Arsyet e kësaj ngjarje shqetësuese ende nuk dihen, por sipas video incizimit bëhet fjalë për shtatzëni. Në video shihet se vajza fillimisht keqtrajtohet nga njëri person e më pas edhe nga tjetri.

Menjëherë pas publikimit të videos, pësuan reagimet nga autoritet. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë identifikuar personat në video dhe të njëjtit janë privuar nga liria.

-Ju informojmë se nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme Shtip janë ndërmarrë masat për konfirmim të identitetit të personave në fjalë dhe të njëjtit janë të privuar nga liria. Bëhet fjalë për personat me inicialet S.A dhe P.R, u tha nga  Ministria e Punëve të Brendshme.

Për rastin konkret janë informuar edhe Prokuroria publike dhe Qendra për punë sociale. Nga Prokuroria në Shtip informojnë se kanë hapur lëndë.

-Prokuroria publike Shtip, ka hapur lëndë duke u bazuar në  informacionet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe media ku shihet dhunë ndaj një personi, u tha nga Prokuroria Publike.

Pas publikimit të videos ka pasur reagime të shumta, duke përfshirë edhe Komitetin e Helsinkit.

Të arrestuarit për momentin janë në paraburgim.