Kryeministri bullgar, Bojko Borisov është për vizitë zyrtare në SHBA, ku sot do të ketë takim me presidentin amerikan Donald Tramp.

Në Shtëpinë e Bardhë ata do të bisedojnë për marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale. Sipas paralajmërimeve, theksi do të vihet në mënyrat e përforcimit dhe përpjekjeve në fushat e sigurisë, në kontekst të NATO-s dhe angazhimin e Sofjes zyrtare për rritjen e buxhetit në mbrojtje.

Gjithashtu, sipas BGNES, pritet që Borisov dhe Tramp të bisedojnë mbi diversifikimin energjetik, ndërtimin e “Rrjedhës turke” si dhe terminalin për marrjen e gazit rrjedhës amerikan. Në takim gjithashtu do të bisedohet edhe për ndikimin e Rusisë në Bullgari, ndërsa pritet që presidenti amerikan ta imponojë edhe temën – korrupsioni.

Vizita e kryeministrit bullgar është takim i parë mes tij dhe Trampit në katër sy. Fakti që Trampi e ftoi Borisovin në Shtëpinë e Bardhë, e jo presidentin bullgar Rumen Radev, tregon se SHBA-ja dëshiron t’i shprehë pritjet e saja për Bullgarinë për çështje konkrete, përfshirë këtu edhe atë se si vendi po pozicionohet në rendin e ri evropian, sidomos marrëdhëniet “BE-SHBA”, e transmeton BGNES vlerësimin e burimeve diplomatike bullgare.

Në delegacionin bullgar të udhëhequr nga Borisov janë edhe zëvendëskryeministri, Tomislav Donçev, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, Ministri i Financave, Vladislav Goranov dhe Ministri i Ekonomisë, Emil Karanikolov.

Takimi i presidentit amerikan me kryeministrin bullgar është pjesë e një seri bisedimesh me liderët e Evropës qendrore, ndërsa deri më tani Tramp ka pasur takim me kolegët nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Austria dhe Romania.