BMW Group, në një deklaratë të shkurtër, njofton se gjatë ngjarjes speciale “BMW Welt” (“Bota e BMW-së) të cilën e ka mbajtur në Munih ka dorëzuar çelësat e veturës së tyre hibride të 500.000-të.

Nga këto 500.000 automjete, të BMW-së dhe Minit në version elektrik dhe hibrid, rreth 60.000 prej tyre po voziten në rrugët gjermane, ndërsa pronari i veturës së 500.000-të është po ashtu nga Gjermania, transmeton Koha.net. Fjala është për modelin BMW 330e në version plug-in hibrid, i cili ka eksterier me ngjyrë të kaltër “Portimao” dhe vjen me paketën “M Sport”, rrotat 18-inçësh nga alumini, si dhe me enterier prej lëkure “Vernasca Oyster”.

Gjithashtu, BMW Group njofton se deri në vitin 2023 në treg do të lansojë 25 modele të elektrifikuara, ku në mesin e tyre do të jetë edhe iX3 tërësisht elektrik i cili pritet të arrijë vitin e ardhshëm, ndërsa iNEXT në vitin 2021.