Ekonomia e zezë ende paraqet problem për sektorin e biznesit, i cili kërkon që mos të tolerohen ata të cilët nuk paguajnë tatime. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, e cila sot e festoi 25 vjetorin e ekzistimit, thonë se bëjnë kontrolle dhe presin të gjithë proceset të cilat i zbatojnë të kontribuojnë drejt zvogëlimit të konkurrencës jolojale.

Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arsovska, konkurrenca jolojale e cenon ekonominë e tregut dhe sistemi nuk guxon t’i tolerojë mospaguesit e tatimeve, të cilët janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e atyre që rregullisht i paguajnë detyrimet ndaj shtetit.

“Përfundimisht dhimbja më e madhe, krahas asaj që e kemi këtë pasiguri dhe jostabilitet në vend i shkaktuar nga turbulencat politike dhe paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, është edhe ekonomia e zezë për të cilën në vazhdimësi apelojmë se duhet të luftojmë me të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri”, deklaroi Arsovska, në shënimin e sotëm të 25 vjetorit të DAP-it.

Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska, thotë se bëjnë kontrolle dhe veprojnë mbi kërkesat e institucioneve. Një segment i vogël i zvogëlimit të ekonomisë së zezë, sipas Llukarevskës, është edhe masa “TVSH-ja Ime”.

“Duam të ndërtojmë raporte miqësore me tatimpaguesit dhe ta ulim atë simbol i cili deri më tani na “stoliste” për organ represiv. Mundohemi të jemi partnerë. Të gjitha proceset të cilat i bëjmë, presim se do t’i ndjekim rrjedhat moderne në botë. Ndërsa, e gjithë kjo do të kontribuojë për zvogëlimin e ekonomisë së zezë”, tha Llukarevska.

Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, angazhohen për zvogëlimin e ekonomisë së zezë.
“Si sektor i biznesit çdoherë jemi angazhuar që të zvogëlohet ekonomia e zezë. Në raport me këtë, politika e tatimeve të jetë e barabartë dhe e orientuar drejt shkatërrimit të ekonomisë së zezë”, theksoi Nebi Hoxha, nga Oda Ekonomike Maqedonisë Veriperëndimore.

Ministri i Ekonomisë, Kreshik Bekteshi, thotë se janë bërë reforma të mëdha në DAP dhe se ky institucion me sektorin e biznesit shihet si partnere. Ndërsa, jo si instrument të cilët pushteti i shfrytëzon për interesat e tij.

“Këtë e dëshmojmë edhe me masat e reja dhe njëkohësisht me bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të cilën e kemi me institucionet me qëllim të krijimit që sektori privat të jetë gjenerator i rritjes ekonomike”, tha Bekteshi.