Оpozita jodinjitoze, tinzare dhe destruktive e cila çdo ditë i ndryshon
qëndrimet dhe vendos kushte vetëm për shqiptarët, vazhdon të qëndrojë në
sportelet pritëse të korridoreve të LSDM dhe VMRO me të vetmin qëllim
për të rrënuar të arriturat kombëtare dhe për t’iu shmangur
përgjegjësisë së tyre për humbjen e thellë.

Shqiptarët nuk meritojnë opozitë pa kapacitete demokratike dhe pa moral
politik për të bartur përgjegjësi para votuesve dhe para organeve
partiake.

Humbët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, më pastaj humbët në
zgjedhjet lokale të vitit 2017, humbët në referendum sepse ishit
shqiptarët e vetëm që bojkotuan referendumin për NATO dhe BE, humbët
edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, por edhe në zgjedhjet
lokale në Dibër në 2019, për të humbur përfundimisht në zgjedhjet
parlamentare të këtij viti, ndërsa keni humbur edhe kur ishit pjesë e
partive tjera që nga viti 2002.

Kur do ta lironi skenën e uzurpuar opozitare të mbushur me rekord
humbje?

Premtuat publikisht se do të dorëhiqeni për humbjen tuaj, tregohuni
dinjitoz, mbajeni fjalën dhe shfaqni kapacitet demokratik e mos i
nënçmoni shqiptarët.

Në vend se të largoheni nga qëndrimi jodinjitoz prapa derës dhe
korridoreve të LSDM dhe VMRO me lutje ndaj tyre që të mos realizohen
kërkesat shqiptare, ju vendoset që të braktisni Tryezën e përbashkët të
partive parlamentare shqiptare.

Populli shqiptar nuk do të jua fal asnjëherë këtë nënçmim dhe këtë
sjellje jodinjitoze të opozitës shqiptare.

BDI dhe z. Ahmeti do të vijojnë me përpjekjet për të patur një opozitë
dinjitoze dhe kombëtare sepse këtë e meritojnë votuesit opozitar dhe
populli shqiptar ndërsa ju do të mbaheni mend si shqiptarët që punuan
kundër shqiptarëve dhe pritësit e përjetshëm në koridoret e LSDM dhe
VMRO.