Kandidati për kryeministër të parë shqiptar Naser Ziberi sot vizitoi fshatin Grçec ku realizoi takim me bujqit dhe fermerët e këtij vendbanimi. Gjatë vizitës ai për së afërmi u njoftua me nevojat e tyre dhe njëherit ua prezantoi aspektet e përcaktimit të tij për zhvillim të bujqësisë dhe për mbështetjen e fermerëve.

“Qeveria do të jetë një shtyllë mbështetëse e fuqishme për të gjithë fermerët dhe bujqit në vendin tonë. Ju jeni ata që me punën tuaj dhe me prodhimet tuaja ushqeni popullin, ndaj përcaktimi ynë është që me një fokus të veçantë të trajtohen të gjitha sfidat me të cilat ballafaqoheni, ndaj planifikojmë mbështetje vjetore për këtë sektor prej 200 milion eurosh, për modernizim të makinerisë bujqësore, investime ne infrastrukture rurale, investime kapitale ne sistemet për ujitje etj” – theksoi Ziberi.

Maqedonia e Veriut pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe bujqësia do të jetë një nga temat thelbësore gjatë negociatave, sepse Bashkimi Evropian bujqësinë dhe fermerët i ngren në shkallën më të lartë të interesit, ndaj në këtë sektor do të ketë reforma shumë serioze të cilat do të na përmirësojnë jetën të gjithëve – potencoi Ziberi.

Ai theksoi se me ardhjen e tij si kryeministër do të përkushtohet në krijimin e mundësive për bujqit të cilët gjithnjë e më shumë i largohen kësaj fushe të veprimit, dhe si prioritet do të jetë stimulimi i bujqve të rinj deri në 35 vjet me grante të pakthyeshme prej 20.000 eurosh. Gjithashtu parashikohet edhe mbështetje për ndërmarrjet bujqësore te vogla, mikro dhe te mesme me qëllim që tu lehtësohet plasimi I produkteve në treg – shpjegoi Ziberi.