Sa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve, 12 prilli, aq më shumë po shtohet zërat për koalicionet parazgjedhore të mundshme në mes partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase, shkruan Gazeta Express.

Nga informata jo-zyrtare për Gazetën Express – Maqedoni, tregojnë se LSDM ka dërguar oferta për koalicion parazgjedhor deri tek Alternativa e Gashit dhe PDSH-ja e Thaçit. Nëse arrihet marrëveshje, blloku opozitar do të përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Kasamit. BDI dhe VMRO-DPMNE do të shkojnë të vetme në zgjedhje.

Duke parë edhe lëkundjet e fundit në kampin qeveritar, në mes LSDM-së dhe BDI-së, kryeministri Zaev po shqyrton mundësinë që nëse i fiton zgjedhjet së bashku me dy partitë shqiptare, pastaj qeverinë ta bëjë me ASH-në dhe Lëvizjen Besa, duke e lënë BDI-në në opozitë bashkë me VMRO-DPMNE-në. Megjithatë kjo do varet vetëm nga numrat që dalin pas zgjedhjeve.

Sondazhet e shumta, të publikuara kohëve të fundit, tregojnë për epërsi të lehtë të VMRO-së ndaj LSDM-së, me rezultat shumë të ngushtë, ndonjëherë edhe të brarabartë, dhe duke e ditur që VMRO-së rreth vetes ka elektoratin nacionalist maqedonas që janë të irrituar nga ndryshimet që ndodhën në shtet, si ndryshimi i emrit, marrëveshjet me Bullgarinë, Greqinë dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe, LSDM-ja e Zaevit e vazhdon projektin e saj “Një shoqëri për të gjithë”, duket marrë edhe parti shqiptare brenda listës së tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo strategji do t’i siguronte LSDM-së fitore stabile ndaj VMRO-së, dhe do të ishte partia që me shumë gjasë do ta bënte qeverinë e ardhshme. Mbetet të shihet se a do të ndodh bashkimi i ASH-së dhe Lëvizjes Besa dhe sa numra do të fitonin së bashku në legjislaturën e re.

Pas vitit të ri pritet emërimi i kryeministrit teknik, dhe zbatimi i marrëveshjes së Përzhinos, ku MPB dhe Ministria e punës dhe politikës sociale do t’i takojnë VMRO-së deri në formimin e institucioneve të reja. Prej momentit kur u shpallën zgjedhjet, partitë veçse kanë filluar me fushatën e tyre në terren, kjo pritet të intensifikohet pas festave të fundvitit.