Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët (ASH) sot ka reaguar pas konferencës së Ministrit të arsimti dhe shkencës, Arbër Ademi në lidhje me rezultatin nga testimi PISA

“Maqedonia e Veriut e zë pozitën e 67 prej gjithsej 79 shteteve që janë testuar dhe ai lavdërohet me rritje të rezultateve. Nëse Maqedonia e Veriut krahasohet me shtetet e rajonit, atëherë do të konstatojmë se fëmijët në Maqedoninë e Veriut kanë dalë më keq se Bosnja, Bullgaria, Serbia ose Qiproja”, deklarojnë nga ASH-ja.

Aleanca komentoi edhe tendencën e ministrit për të përvetësuar meritat për këtë përmirësim të rezultateve te testimi PISA.

“Shprehim brengën tonë për rezultatet shumë të dobëta të arritura nga nxënësit në Maqedoninë e Veriut. Përkujtojmë se nuk është sukses nëse në të gjitha kategoritë e testimit Maqedonia e Veriut është ndër mesataren e arritur. Nuk mundet të jetë sukses nëse herën e parë kemi marrë notë të dobët, pra jo kaluese, në terminologjinë shkollore notë “njësh”, tani përsëri kemi marrë notën e njëjtë “njësh”, por kësaj radhe del ,,docenti” pa fije turpi dhe lavdërohet se kemi marrë nja disa pike më tepër“, theksojnë nga ASH-ja.

Partia opozitare pas kritikave të shumta për problemet në arsim, paralajmëruan se do të dalin me programin e tyre për arsim.