Nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Arritja e marrëveshjes së Prespës me çka u zgjidhë kontesti disavjeçarë me Greqinë ishin sukseset e vetme që njohin analistët politik në mandatin 3 vjeçarë të Zoran Zaev si kryeministër i vendit.

Ata për Agjencinë e Lajmeve ShkurtShqip thonë se Zaev ka dështuar në reformën në gjyqësorë, admnistratë, ekonomi dhe disa të tjera. Sipas tyre notë kaluese kryeministri Zaev merr vetëm për politikën ndërkombëtare, por jo edhe për fushat tjera.

Gazetari Urim Saliu thotë se Zaev erdhi si njeriu i shpresës, ai erdhi në momentin më delikat në politikën e kapur nga një grup njerëzish me pushtet të plotfuqishëm që ishin Ligji vetë, por sipas tij, Zaev pasi mori pushtetin ai u tret dhe të gëlltitë gjithçka që kishte premtuar.

“I pamë në bombat e tij mënyrën si kishin qeverisur. Atë që se kishte bërë askush më herët e bëri Zaev. Por më pas ,kur morri pushtetin, askush nuk e di saktë se si u tret ai zë i fuqishëm i ndryshimit te kryeministri. Ai filloi të gëlltit gjërat për të cilët ishte betuar se do t’i bënte dhe për këtë ai fitoi madje edhe simpatinë te shqiptarët që ndaj partisë së tij më herët kishin të njëjtën neveri dhe mllef.

Zaevit i iku nga dora kontrolli i qeverisë dhe kur ndodhë kjo, koston e paguan i pari i saj që është në krye. Zaevi s’mundi të reformojë drejtësinë për të cilën erdhi në pushtet”, ka deklaruar Saliu duke shtuar se kryeministrit Zaev para syve i ikën peshqit e mëdhenj të politikës dhe aty nisi teposhtëza e tij politike.

“Ka bërë edhe gjëra të guximshme duke sidomos me fqinjët përfshirë marrëveshjen me Bullgarinë dhe Greqinë duke i dhënë fund një problemi kaq t’u ndërlikuar. Ndryshoi emrin dhe kjo natyrisht ka një kosto dhe një çmim politik por bëri një punë të madhe në këtë drejtim. Edhe në aspektin e sigurisë së brendshme ka patur më shumë qetësi për qytetarët dhe jo incidente të përsëritura që kishte para ardhjes së tij në pushtet. Por në aspektin ekonomik edhe këtu nuk realizoi premtimin e madh që kishte në fushatë. Nuk e përmbushi krejtësisht kurrë këtë premtim,sidomos me 500 euroshin e famshëm”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Urim Saliu.

Nga ana tjetër analisti politik, Dame Çkatroski thotë se kryeministri Zaev notë kaluese ka vetëm për politikën ndërkombëtare por jo edhe për politikat e brendshme.

“Zoran Zaev kaloi mirë në politikën ndërkombëtare, dhe notën do ja kisha dhënë 4 nga 5. Dhe nuk mundej më shumë të bënte. Para se gjithash kjo ka të bëj, jo vetëm në ekipimin e tij por edhe në shumë aktorë politik dhe arsye. Në politikën e brendshme ka ngecur në luftën me sistemin e kaluar, luftën ndaj korrupsionit dhe reformat në gjyqësorë. Këtu do ti jepja nota negative. Në këtë aspekt nuk shoh se mundet të jepet notë pozitive. Në veçanti ka pasur kritika edhe nga votuesit shqiptarë për mardhënien e tij me BDI-në, por këtë më shumë e shoh si punë të domosdoshme duke pasur parasysh koncepcionin e Parlamentit. Gjithësej ka notën 4 për politikën ndërkombëtare dhe minus për punën në institucionet e vendit. Administrata nuk pati sukses njejtë si edhe gjyqësori, ndërsa Zaev hyri në administratë me shumë optimizëm. Për fat të keq as këtu nuk ka notë kaluese. Për ekonominë do të kisha thënë, stabile, as më keq por edhe as më mirë nga koha e Gruevskit. As këtu nuk do të kisha mund të jap ndonjë notë kaluese”, ka deklaruar analisti politik, Dame Çkatroski.

Ndryshe, Lideri socialdemokrat Zoran Zaev nesër përfundon mandatin e tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai më 3 janar do të duhet që të tërhiqet duke i hapur rrugë Qeverisë teknike me mandat 3 mujor, e cila do të jetë e fokusuar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit. Zaev u detyrua të largohet nga detyra gati një vit pa e përfunduar mandatin 4 vjeçar.

Ai pranoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas këmbënguljes së partive opozitare. Ekonomisti 45 vjeçar nga Strumica erdhi në pushtet në fund të dhjetorit të 2016, pas protestave dhe aferës së përgjimeve, ku ai ishte protagonisti kryesor që shpalosi biseda e përgjuara, që ishin bërë nga ana e qeverisjes së kaluar të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Zaev do të njihet si një nga kryeministrat që mbylli kontestin dydekadësh të emrit me Greqinë, por edhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Këto dy çështja të vështira, i hapën rrugë anëtarësimit të vendit në NATO.

Ky proces pritet që të përmbyllet gjatë muajve të ardhshëm. Por premtimet në hapjen e bisedimeve me BE-në nuk ishin të suksesshme për Zaevin dhe Qeverinë e tij. Në përputhje me procedurat kushtetuese dhe sipas marrëveshjes së Përzhinës, 90 ditë para zgjedhjeve duhet të formohet Qeveria teknike, që do të thotë më 3 janar. Kryeministri teknik është propozuar Oliver Spasovski, ministri aktual i MPB-së. Ndërsa opozita e VMRO-së do udhëheq me ministrinë e MPB. Zaev nga nesër do të jetë i fokusuar në strukturat partiake si lideri i LSDM, i cili do ti prijë fushatën për zgjedhjet e 12 prillit.