Bisedimet për qeverinë e re, do të jenë të vështira dhe debative, sidomos mes LSDM-së dhe BDI-së, vlerëson analisti Ilir Luma. BDI, sipas Lumës, do ta ketë të vështirë për ta quar idenë për kryeministër shqiptar deri në fund duke marrë parasysh qëndrimet negative dhe injoruese të LSDM-së, prandaj në këtë pikë, Luma sugjeron, ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

‘Palët që duhet të bisedojnë dhe të krijojnë qeveri pa marrë parasysh çfarë forme të qeverisë, por gjithmonë duke pasur parasysh një qeveri stabile, shanset për të bërë një gjë të tillë janë të pakta, shumë vështirë do të arrihet dhe në këtë drejtim, një apel BDI-së që ta kërkojnë edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Për të arritur një qeveri konstante, stabile dhe funksionale, kujtoj se edhe pala tjetër shqiptare që i prin ASH-ja duhet të gjejë forcë, disa qëndrime ti revidojë, dhe ti japë përkrahje idesë së BDI-së.’

Koalicioni më i mundshëm dhe i cili edhe do të gjej zbatim, sipas analistit Albert Musliu, është ai mes LSDM-së, BDI-së dhe koalicionit Mundemi.

‘Demokracia është edhe arti i numrave, numrat në këtë moment sugjerojnë që qeverinë mund ta formojnë pa ndonjë shqetësim të madh shumica e deritanishme, LSDM-ja me koalicionin MUNDEMI, dhe BDI. Ato të vetmet, japin numrin 61. Nëse hyjmë në fazën e kombinatorikave, transfereve, atëherë ç’do shumicë tjetër është e mundshme. Unë mendoj se kjo është më normalja në këtë moment, dhe mendoj se edhe do të realizohet.’

Një marrëveshje e palës shqiptare me VMRO-në, sipas analistëve do të ishte akoma më e vështirë, duke marrë parasysh pozicionin e kësaj partie, veçanërisht gjatë fushatës parazgjedhore me elemente nacionaliste dhe shprehjen e qëndrimit negativ përmes iniciativave politike karshi interesave të shqiptarëve.
Në lidhje me idenë për kryeministër shqiptar, analistët sugjerojnë se poqe se një gjë e tillë nuk do të pranohet, të kërkohet rritja e numrit të dikasterëve ministror dhe funksionarëve shqiptarë në hierarkinë e pushtetit qëndror. /KlanMacedonia