Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, nëpërmjet të një postimi në Facebook, ka njoftuar për takimin e realizuar me Kryetarin e partisë Besa, z. Bilall Kasami.

“Pas bisedës telefonike të javës së kaluar, sot në Shkup takova Kryetarin e Lëvizjes “Besa”, z. Bilall Kasami.

Me z. Kasami vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 15 korrik dhe bashkarisht mirëpritëm vlerësimet afirmative të komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti të OSBE/ODIHR.

Gjatë takimit konstruktiv, u dakorduam të vijojmë përpjekjet tona në rrugën euroatlantike të vendit si dhe reformat e shumëpritura në drejtim të sundimit të ligjit duke zhvilluar dialog të hapur dhe të vazhdueshëm.

Në ditët në vijim, gjithsesi se shpresoj që të realizoj takime pune edhe me kryetarët e partive opozitare shqiptare në interes të qytetarëve të vendit tonë.” shkruan Ahmeti.