Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sot, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, deklaroi se nuk ka pasur asgjë kontestuese që grupi i tifozëve “Shvercerat” kanë festuar  në TPM, dhe se nuk kanë pasur për qëllim të shkaktojnë dëm apo vandalizëm.

“Sa u përket dëmeve materiale në teatër, është një çështje tjetër që do të vlerësohet nga Ministria e Kulturës, por unë nuk mendoj që njerëzit aty kanë shkuar për të shkaktuar dëme, ose vandalizëm” tha Ahmeti pas vendosjes së kurorë lulesh në monumentin e Skënderbeut në Çarshi të Vjetër me rastin e Ditës së Flamurit.

Ahmeti theksoi se  në shumë vende të qytetëruara si Gjermania, Britania e Madhe e në mbarë botën, manifestime të tilla të simpatizantëve të klubeve të ndryshme ditët e rëndësishme, ditët e themelimit të tyre i mbajnë në teatrot kombëtare.