Prej sot sheshit kryesor të Drenasit i janë shtuar edhe tri shtatore të reja, ajo e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit.

Në ceremoninë e zbulimit të këtyre shtatoreve të pranishëm ishin kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përfaqësues të OVLUÇK-së, përfaqësues të familjes Jashari, etj.

Vendosja e këtyre shtatoreve është bërë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, daljes së parë publike të UÇK-së dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti me këtë rast tha se përjetësimi i Shaban Jasharit me të bijtë Hamzën dhe Ademin, në Drenas, bëhet në këtë ditë të shënuar të krenarisë dhe sakrificës kombëtare, ditës së flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë tonë.

“Lavdi e përjetshme familjes Jashari, lavdi të gjithë të rënëve për atdhe”, thotë Ahmeti.