Edhe gati 4 muaj nga fillimi zyrtarisht me punë i Agjencisë për Siguri Kombëtare, kjo strukturë e cila për herë të parë u vendos nën qeveri, ende nuk funksionon si duhet. ALSAT mëson se veç mos-përmbushjes me sukses të detyrimeve të saj, në radhët e punonjësve ka gjithashtu pakënaqësi të mëdha për shkak edhe të mungesës së organizimit të brendshëm. Në rrjedhë është përgatitja e një sistematizimi të ri, për shkak se, pas gati 4 muajsh, eprorët e ANB-së kuptuan që sistematizimi fillestar me të cilin nisi veprimtarinë agjencia, ishte jo funksional. Mësohet të ketë ndryshime strukturore, por ende nuk dihet qartë se çfarë do të ndryshojë konkretisht. Në strukturën aktuale numërohen 8 drejtori, mes tyre, ajo për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bashkëpunim Ndërinstitucional, Planifikim Strategjik, Logjistikë, ai për Operacione dhe Analitika. Drejtoritë e mëparshme, që ishin shtyllat e Drejtorisë së atëhershme për Zbulim dhe Kundërzbulim, konkretisht Terrorizmi, Krimi i Organizuar dhe Kundërzbulimi tani janë në nivelin më të ulët, thjesht sektorë nën Departamentin për Operacione.

Po ashtu, realizimi i veprimtarisë së përditshme të punonjësve të shërbimit pengohet për shkak të mungesës së rregullores së punës si dhe akteve nënligjore për zbatim të suksesshëm të dispozitave normative ku bazohet veprimtaria e çdo sektori të Agjencisë, përfshi edhe të drejtat dhe obligimet e punonjësve. Vetëm pas gati 2 muajsh, më në fund u vunë nën përdorim edhe regjistrat e punës.

Agjencia për Siguri Kombëtare ende nuk ka zgjedhur kryeshefin e Sektorit për Verifikimin e Sigurisë, që është tepër i rëndësishëm edhe në fushëveprimin e shkëmbimit të informatave me NATO-n. Po ashtu, ky sektor është përgjegjës edhe për verifikimin e sigurisë së të gjithë atyre që aplikojnë për shtetësi, duke bërë që qindra aplikime të presin me muaj të tërë. Agjencia e re nuk ka formuar as Kontroll të Brendshëm. Një gjë e tillë e lë të pashpresë edhe hetimin e rastit të fundit që tronditi këtë Agjenci, kur dokumente të klasifikuara u gjetën në shtëpinë e deputetes Frosina Remenski, bashkëshortes së kryeshefit aktual për Terrorizmin, Jovçe Remenski.

Agjencia për Siguri Kombëtare shquhet për zgjedhjen politike të drejtorit dhe zv/drejtorit të saj, që nënkupton se pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe shkëputjen e saj nga MPB-ja, mbeti sërish vegël e pushtetit, edhe pse veprimtaria e saj organizohet me ligj të posaçëm. Me këtë format organizimi, ajo mbeti jashtë skemës së Marrëveshjes së Përzhinës, por, si praktikë e çdo pushteti, kryeministri teknik sigurisht që do të tentojë të ruajë kontroll.

ASK u formua pas miratimit të tre ligjeve, ligjit special për të, ligjit për ndjekjen e telekomunikimeve me të cilin u formua ATO, si dhe ligji për koordinimin e bashkësive të inteligjencës dhe sigurisë. Tre shërbimet, ASK, Agjencia e Inteligjencës dhe Njësia organizative për siguri ushtarake dhe zbulim duhet të bashkëpunojnë në një këshill, atë për koordinimin e bashkësive të inteligjencës dhe sigurisë, por ky këshill nuk është mbajtur asnjëherë deri më sot. Ndërkaq, ASK, siç mëson ALSAT ende nuk ka zgjedhur as simbolet e saj të reja, ndërkohë që sipas gjasave, nuk do të shpërngulet herët në ambientet e saj në ish kombinatin e Duhanit.