Ministër i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, së bashku me kryetarin e partisë AlternAtivA, Afrim Gashi vizituan familjet e prekura nga tërmeti të cilët strehohen përkohësisht në çadrat e vendosura pranë stadiumit në Durrës.

Pas tërmetit në Shqipëri që shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve, vendet fqinje të Shqipërisë vazhdojnë të shprehin solidaritetin dhe ofrojnë mbështetjen e tyre me ndihma për normalizimin e situatës.

Ministër i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, së bashku me kryetarin e partisë AlternAtivA, Afrim Gashi dhe deputetin nga kjo parti, Rexhep Memedi vizituan familjet e prekura nga tërmeti të cilët strehohen përkohësisht në çadrat e vendosura pranë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

Ministri Ismaili në një deklaratë për AA tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut menjëherë ndërmori masa për t’i ofruar ndihmë Shqipërisë, posaçërisht Durrësit.

Ai duke përmendur edhe ndihmën e Maqedonisë së Veriut në shumën 100 mijë euro, tha se pas vendimit për këtë ndihmë nisën aksionet e qeverisë, prej rezervave të shtetit dhe gjithashtu u aktivizuan edhe shoqatat joqeveritare.

“Ndihma do të vazhdojë edhe më tej dhe çfarë është në duart tona do të ndihmojmë. Besoj se së shpejti do të kalojmë edhe këto momente të vështira. Sot erdhëm këtu në Durrës të vizitojmë hallexhinjtë. Janë vendosur nëpër çadra, kanë kërkesa të shumta. Mendoj së dalëngadalë situata do të stabilizohet”, tha Ismaili.

Ndërsa, Kryetari i partisë AlternAtivA, Afrim Gashi, për AA theksoi se “që nga momenti kur morëm lajmin e hidhur për tërmetin në Durrës dhe Shqipëri në përgjithësi ne u prekëm gjithë si shqiptarë, por mbi të gjitha si njerëz.”

“Janë disa momente në jetë ku përkatësitë e ndryshme qoftë racore, politike, partiake, përfundojnë dhe tërmetet janë ato momente që na bashkojnë zemrat dhe na bëjnë të ndihemi më solidarë. Gjithë neve na u dridhen zemrat, por sot kur po vijmë këtu dhe po i shohim dhimbjet e tyre, tragjedinë, trishtimin që ata kanë parë me sytë e tyre dhe ne po solidarizohemi, ngushëllojmë familjarët për humbjet e tyre, të gjithë Shqipërinë, të gjithë shqiptarët. Ne u ngritëm të gjithë bashkë për të ndihmuar”, tha Gashi.

Ai u shpreh më tej se “Në këto raste natyrisht që ne gjithë të jemi bashkë, frymojmë bashkë dhe ndajmë atë që kemi bashkërisht”.

Deputeti Memedi tha se të gjithë kanë ndjerë dhimbje për këtë tragjedi që ndodhi në Shqipëri dhe shtoi se “Shprehim ngushëllimet gjithë familjarëve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre. Po ashtu urojmë që personat që kanë marrë lëndime sa më shpejt të shërohen dhe të kthehen në familjet e tyre.”

Nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, kanë humbur jetën 40 persona, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjerë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se 750 të lënduar morën trajtim në spitale.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar se zyrtarisht ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit në Thumanë, ku u gjetën trupat e pajetë të 22 personave. Sipas këtij institucioni aktualisht në Durrës vazhdojnë operacionet e kërkimit të ekipeve nga Shqipëria, Kosova, Turqia dhe vendeve të tjera.