Ministri i Arsimit Arber Ademi përmes një postimi në facebook ka numëruar të arriturat në këtë dikaster gjatë udhëheqjes së tij. Për punën e realizuar ai ka falënderuar gjithë bashkëpunëtorët dhe stafin në Ministrin e Arsimit.

“Arsimi nuk duhet të ketë trajtimin e konsumit, por doemos duhet të trajtohet si një ndër shtyllat kryesore të prosperitetit socio-ekonomik dhe nacional të vendit. Sepse, thjeshtë, vendi ynë nuk ka resurs (burim) më të rëndësishëm për përparimin e përgjithshëm sesa dituria e qytetarëve në të cilën duhet të investohet vazhdimisht.

I gjithë angazhimi im personal si Ministër i Arsimit dhe Shkencës u bazua në këto postulate. Kjo është një ideologji që synon të arrijë një qëllim të vetëm – ndërtimin e një sistemi arsimor në të cilin do të integrohen vlerat dhe parimet arsimore evropiane.

Shikuar nga perspektiva e sotme, jam i kënaqur nga ajo që është arritur gjatë mandatit më tepër se dy vjet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Nëse më duhet të veçoj disa aktivitete më të rëndësishme, këtu do të theksoja investimin në infrastrukturën arsimore, ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruktimin e shkollave ekzistuese, sallat sportive, konviktet studentore dhe të nxënësve, si dhe objekte tjera – për çka ndamë 35 milionë euro. Do të veçoja edhe reformat në arsimin fillor dhe ligjin e ri të miratuar që siguron më shumë mundësi për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke vazhduar me rrumbullakimin e reformës së plotë në arsimin e mesëm profesional, si dhe aplikimin dhe zgjerimin e konceptit të arsimit dual, pa harruar këtu edhe pajimin e shkollave profesionale, sigurimin e një numri të madh të teksteve shkollore (librave shkollorë) kuptohet me përmbajtje të përmirësuar, themelimin e Gjimnazit matematikor, pjesëmarrjen në testimin PISA dhe TIMSS e kështu me radhë. Me lejoni të rikujtoj faktin që në testimin e fundit PISA nxënësit tanë arritën progres jashtëzakonisht të madh në krahasim me testimin e vitit 2015, respektivisht kishim ngritje më të lartë (bazuar në rezultatet e shteteve) – dhe ky fakt më bën jashtëzakonisht krenar. Po ashtu, kemi bërë përpjekje të mëdha për të kthyer dinjitetin e profesionit të mësimdhënies. Në këtë drejtim, kemi rritjen historike të pagave të punonjësve në shkolla për 21.3%, si dhe hartuam edhe një ligj që u siguron atyre karrierë dhe zhvillim profesional. Pagat e pedagogëve në institucionet e arsimit të lartë janë rritur për 5%, ndërsa shkencëtarët nga institutet publike kanë të hyra më të larta për mbi 30%. Janë zgjeruar masat për të rinjtë me masa të reja, siç ishte shpërndarja e kartelave pagesore, vauçerëve për IT trajnime, ndarja e mjeteve për blerjen e instrumenteve muzikore, për pajisjet shkollore e kështu me radhë…

Këto të arritura, për hir të së vërtetës, nuk janë meritë vetëm e imja dhe jo të gjitha ndryshimet kanë filluar derisa unë jam ministër në këtë dikaster. Një numër i caktuar i iniciativave dhe aktiviteteve kishin filluar edhe nga paraardhësit e mi. Ndërsa, pa të punësuarit në MASH, bashkëpunëtorët nga institucionet tjera të sferës së arsimit dhe shkencës, anëtarët tjerë të Qeverisë, bashkë-partiakët e mi, partnerët nga jashtë dhe të tjerët me të cilët ndanim dhe ndajmë vizion të njëjtë, nuk do të kishim shënuar këto rezultate – me të cilat, sinqerisht krenohem.

Ndaj, përfitoj nga rasti t’i falënderoj të gjithë ata për kontributin e dhënë në arritjen e asaj që është përcaktuar në dokumentet strategjike në fushën e arsimit dhe shkencës. Unë besoj fort se rrugët tona do të vazhdojnë të jenë të kryqëzuara, sepse jam i bindur që vizioni ynë i deritanishëm edhe me tej do të mbetet i përbashkët.

Dua të theksoj që përvoja dhe ekspertiza ime në këtë fushë mbetet e disponueshme për shtetin dhe qytetarët. Unë jam këtu për të ndihmuar me një vullnet të fortë, sa herë që do të më kërkohet një gjë e tillë.

Uroj të jemi të gjithë shëndosh e mirë, ndërsa ministres Milla Carovska i uroj suksese dhe momente të bukura në punën e saj!