Pas nënshkrimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilët do të mbahen më 12 prill, ashtu siç u morën vesh partitë në mes vete, ka ardhur koha e formimit të blloqeve, koalicioneve para zgjedhore.

Njohësi i rrethanave politike, njëkohësisht, drejtor i të përditshmes “Lajm”, Fejzi Hajdari në një prononcim për INA tha se parimisht koalicionet janë të lejuara, sipas tij një koalicion i tillë në këto zgjedhje mund të ndodhë.

“Parimisht koalicionet janë të lejuara në politikë, kurse sovrani e bënë vlerësimin e fundit, në ditën e zgjedhjeve. Kjo vlen në çdo shtet multi-etnik, prandaj, sipas të gjitha gjasave dhe paralajmërimeve të partive politike, një gjë e tillë do të bëhet realitet edhe në Maqedoni. Gjithsesi, në këtë drejtim mungon edhe një traditë e koalicionimit mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase. Prandaj, shikuar nga ky këndvështrim, koalicionimet e këtij lloji, mund të jetë edhe “thikë me dy tehe”. Rrjedhimisht, edhe reagimet e qytetarëve, mund të ishin të ndryshme, pa predikuar ndonjë epilog eventual”, deklaroi për INA, Fejzi Hajdari.

Analisti Arben Llalla, në një prononcim për INA thotë se në vend janë pjekur kushtet për formimin e një koalicioni mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase.

“Janë të mundura edhe koalicionet parazgjedhore mes partive maqedonase, shqiptare, turke dhe serbe. Mirë do jetë edhe nëse në LSDM të ketë parti shqiptare, por edhe në VMRO. Tek e fundit partitë shqiptare duhet te profilizohen te majta, djathta, dhe te qendrës. Mendoj që trenit të LSDM-së  për koalicion parazgjedhor mund t’i bashkohen partitë shqiptare PDSH, BESA dhe RDK. Nëse fitojnë 61 deputet nuk do të ketë nevojë për ndonjë parti tjetër”, pohoi Llalla për INA.

Kujtojmë, Koalicioni i vetëm për momentin është ai në mes Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët. Nga BDI kanë deklaruar se në këtë cikël zgjedhorë do të garojnë të vetëm kurse për momentin e vetme është edhe Lëvizja Besa, të cilës derën e bashkëpunimit ja ka hapur RDK-ja. Kjo e fundit bashkëpunim i ka ofruar edhe PDSH-së, në mënyrë që të formohet koalicioni trepalësh opozitarë, PDSH-BESA-RDK.

Ndryshe, nga VMRO-ja kanë deklaruar se janë në bisedime me disa parti politike po kanë thënë se janë në  bisedime edhe me disa parti politike shqiptare. Por derën e hapur partive shqiptare ua ka lënë edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev i cili tha se është i vetmi lider që ka punuar për të mirën e shqiptarëve.