Lëkundjet e tërmetit i zgjuan të tmerruar gjithë shqiptarët mëngjesin e djeshëm. Deri më tani janë shënuar 29 viktima, mes tyre tre fëmijë. Ndërkohë raportohet për më shumë se 600 të plagosur.

Vendi vijon të lëkundet vazhdimisht, ndërsa të gjithë i druhen faktit nëse do të ketë sërish një tërmet tjetër si ai i mëngjesit të djeshëm. Sizmiologu Shyqyri Aliaj, ish-drejtor i Institutit të Sizmiologjisë është pyetur se nisur nga përllogaritjet a mund të ketë një goditje tjetër të fortë.

“Tërmetet nuk mund të parashikohen siç parashikohet afërsisht shiu. E vetmja rrugë është përcaktimi i rrezikut sizmik për Shqipërinë, që është një parashikim afat-gjatë, që ndërtimet të ndërtohen për të përballuar forcën maksimale të mundshme të tërmeteve të ardhshëm. Dhe të tilla studime tashmë janë kryer dhe publikuar nga ish Instituti I Sizmologjisë, por ato ende nuk janë përfshirë zyrtarisht nga instancat shtetërore si bazë për Kodin e ri të Ndërtimeve të përshtatur në bazë të Eurokodeve sizmike.”, shprehet Aliaj.

Ndërsa sipas sizmologut të njohur zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Shqipëri janë:

“Shqipëria bën pjesë në brezin sizmik Mesdhetar-Tranaziatik.
Në Shqipëri janë përcaktuar këta breza tërmetesh:
1) Brezi tërmetor Joniko-Adriatik që ndjek zonën tokësore bregdetare nga JL në VP.
2) Brezi tëremtor Korçë-Peshkopi që ndiqet nga Erseka në Korçë e deri Dibër me shtrirje V-J.
3) Brezi tërthor Lushnjë-Elbasan-Dibër me shtrirje VL.
Ndër ta më i rrezikuari është brezi i parë, Joniko-Adriatik.”