Para saktësisht tetë viteve, në shtëpinë e tij në moshën 94 vjeçare, ka vdekur presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov.

Gligorov si president i vendit ishte zgjedhur më 27 janar të 1991tës, nga ana e Kuvendit të shtetit, ndërsa për herë të dytë më 19 nëntor në vitin 1994 në zgjedhje presidenciale. Funksionin president e ka ushtruar deri më 19 nëntor 1999.

Gligorov para vetes ka patur shumë sfida sikurse referendumi më 8 shtator 1991 kur u shpall pavarësia e vendit, ndërsa Maqedonia ishte vendi i vetëm nga ish Jugosllavia e cila fitoi pavarësinë pa ndonjë luftë apo incident. Më 17 nëntor 1991 u soll dhe Kushtetuta e parë, ndërsa më 8 prill të 1993tës, Republika e Maqedonisë u bë anëtarja e 181të e Kombeve të Bashkuara.

Më 3 tetor të 1995tës, mbi presidentin Kiro Gligorov u krye një atentat për vrasje. Gligorov i mbijetoi atentatit me lëndime të rënda në kokë. Kryerësit e atij atentatit, ende deri sot nuk janë zbuluar ndërsa hetimi është ende i hapur.

Gligorov gjatë jetës së tij dhe aktivitetit politik ishte shpërblyer me shumë mirënjohje.