Asnjë përgjegjësi për lëshimet që janë bërë gjatë ndërtimit të shkollës fillore “7 Marsi” në komunën e Çairit, rreth një dekadë më parë. Nuk dihet as kostoja e ndërtimit të këtij objekti. Defektet serioze tashmë kanë dalë në sipërfaqe dhe me të njëjtat po përballen nxënësit dhe mësimdhënësit, posaçërisht pas reshjeve të shiut ku çdo pjesë përmbytet nga uji ndërkohë që edhe objekti ka nisur të ndahet në dysh.

Jo zyrtarisht, Alsat mëson se shkolla ishte lëshuar në përdorim pa u kryer i kontrolli i nevojshëm teknik për të cilin akt ishin të njoftuar edhe vet drejtuesit e shkollës “7 Marsi”. Këtë e konfirmojnë edhe nga Shoqata Aksionare për menaxhim me hapësirat banesore dhe afariste që në atë periudhë, nga Qeveria, ishin të angazhuar për zbatimin e mbikëqyrjes dhe kryerjen e pagesave për ndërtimin e shkollës “7 Marsi”. Në përgjigjet e pyetjeve të Alsat, nga Shoqata Aksionare nënvizojnë se realizues i punimeve ndërtimore ka qenë Ndërmarrja për ndërtim “Pellagonija” e cila nuk arriti të përfundoj objektin për shkak të falimentimit.

Inxhinierët tanë menjëherë identifikuan disa gabime serioze të projektit si: realizim i paparashikuar i konstruksionit të kulmit dhe realizim i paparashikuar i kyçjes në sistemin e ngrohjes pas çka disa herë janë miratuar pagesa shtesë nga Ministria e Arsimit. Sipas Ligjit për ndërtim, pranimin teknik bashkërisht e kryejnë inxhinieri mbikëqyrës dhe realizuesi, por në këtë rast për shkak të mungesës së njërit nga realizuesit, pranimi teknik nuk u realizua. Për këtë ishte i njoftuar edhe drejtori i shkollës, i cili sërish vendosi që objekti të filloj me punë – thonë nga SH.A për menaxhim me hapësirat banesore dhe afariste.

Nga Ministria e Arsimit thanë se për momentin në institucionin e tyre kanë gjetur vetëm një pagesë me mbi 13 milionë denarë, që i është bërë Shoqatës Aksionare për menaxhim me hapësirat banesore dhe afariste. Ministri, Arbër Ademi tha se po shqyrtohen të gjitha procedurat që janë zhvilluar në atë kohë.

Informacionet tona flasin se edhe oferta më e lirë dhe vet operatori ekonomik është zgjedhur nga ndërmarrja publike për menaxhim me hapësirat banesore dhe afariste. Megjithatë po i shqyrtojmë të gjitha detajet, të gjitha modalitetet dhe gjithë procedurën e cila është zhvilluar për më tepër se një dekadë, në bazë të informacioneve që i kemi, se a ka lëshime të caktuara eventuale dhe se cilat kanë qenë procedurat të cilat janë ndjekur në atë kohë – deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Nga komuna e Çairit ku graviton shkolla thonë se përveç lejes së ndërtimit nuk kanë pasur asnjë kompetencë tjerë për koston dhe procedurat tjera për ndërtimin e shkollës Për shkak të lëshimeve që janë bë në ndërtim, udhëheqësia e shkollës tani kërkon ndihmë nga Komuna për çatisë.

Jemi duke biseduar edhe me ministrinë për me intervenu në mënyrë sa më të shpejtë, me gjet modelin se si mund të arrijmë më shpejt të bëjmë rikonstruimin edhe te shkolla fillore “Adem Jashari”, zyrtarisht ende është “7 Marsi”. Ne kemi intervenu kohë pas kohe aty mirëpo prej ndërtimit ka pas problem me kulmin -tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.

Shkolla fillore “7 Mars” u lëshua në përdorim derisa dikasterin e Arsimit e drejtonte ministri atëhershëm, Aziz Pollozhani.