Dita ndërkombëtare për luftë kundër dhunës ndaj grave këtë vit shënohet nën moton “Ngjyroseni botën portokalli: Gjenerata barazi kundër dhunimit”. Si edhe më parë, këtë vit Dita ndërkombëtare do ta shënojë fillimin e 16 ditëve aktivizëm që do të përfundojë më 10 dhjetor të po këtij viti, që është Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh me rastin e 25 nëntorit, bëri thirrje t’i vihet fundi të gjitha llojeve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Këto keqtrajtime janë mes shkeljeve më të tmerrshme, më këmbëngulëse dhe mët ë përhapura të të drejtave të njeriut, e me to përballet çdo e treta grua në botë”, theksoi Guteresh.

Ai shtoi se “dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave është pasojë e shekujve të dominimit mashkullor”.

Ai theksoi se duhet solidaritet më i madh për gratë që kanë përjetuar dhunë.

Dita ndërkombëtare për luftë kundër dhunës ndaj grave është vendosur si e tillë në takimin e parë të feministeve nga Amerika Jugore dhe karaibet (Feminist Encuentro) në vitin 1981 në Bogotë. Për herë të parë gratë folën hapur për dhunën familjare, dhunimin dhe keqtrajtimin seksual, si dhe dhunën ndaj të cilës janë të ekspozuara gratë nga ana e regjimeve, përfshirë torturën dhe dhunën ndaj të burgosurave politike.

25 Nëntori është zgjedhur si ditë e përkujtimit të motrave Mirabel – Patria, Minerva dhe Maria Tereza, të cilat u vranë në mënyrë brutale nga diktatori Rafael Trujilo në Republikën Dominikane në vitin 1960.

Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutë 54/134 më 17 dhjetor të vitit 1999 zyrtarisht e konfirmoi 25 nëntorin si Ditë ndërkombëtare të luftës kundër dhunës ndaj grave, të cilës i parapriu Deklarata për luftë kundër dhunës ndaj grave e 20 dhjetorit të vitit 1993.

 

KB thekson se janë dëshpëruese numrat për dhunë kundër grave dhe vajzave në botë.

  1. Çdo e treta grua dhe vajzë kanë qenë viktima të dhunës fizike apo seksuale në jetë, më shpesh nga ana e partnerit;
  2. Vetëm 52 për qind e grave në martesë apo në lidhje lirisht sjellin vendime për marrëdhëniet seksuale, përdorimin e mjeteve kontraceptive dhe mbrojtjes shëndetësore;
  3. Pothuajse 750 milionë gra dhe vajza janë martuar para moshës 18-vjeçare, përderisa 200 milionë gra dhe vajza kanë pësuar gjymtim të organeve gjenitale;
  4. Në vitin 2017 secila viktimë e dytë është vrarë nga partneri i saj apo familja, përderisa në rrethana të ngjashme kjo i ka ndodhur çdo të 20-tit burrë;
  5. Mbi 70 për qind e viktimave të tregtisë me njerëz në mbarë botën janë gra dhe vajza, ndërsa çdo e treta prej tyre është eksploatuar seksualisht;
  6. Dhuna ndaj grave është shkak serioz për shëndetin e keq tek gratë, më shumë se sa fatkeqësitë e komunikacionit dhe malaria së bashku, Kjo mund të shkaktojë vdekje dhe paaftësi tek gratë në moshën riprodhuese

Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit, paqes, si dhe për përmbushjen e të drejtave të njeriut të grave dhe vajzave.